Hani, si paraardhësit ndaj Suedisë

>> Thursday, September 4, 2008

Shkruan Jorgis Memo

Trajneri kuqezi ka thënë se ekipi nuk do të zhvillojë me Suedinë një lojë shumë ndryshe nga e kaluara

Për trajnerin e kombëtares, Ari Han, Shqipëria ka shumë punë për të bërë. Koha e paktë që ka pasur në dispozicion dhe zhvillimi i vetëm dy miqësoreve, ka bërë që filozofia e Hanit për lojën të jetë e vështirë për t’u zbatuar nga kuqezinjtë. Me Suedinë, edhe pse holandezi mendon se ndeshja duhet fituar, loja pritet të mos ketë ndryshime nga ndeshjet e kaluara, kur ishte epoka e kroatit Oto Bariç. Këto dhe përshtypjet e tij të para pas tri ditë stërvitjesh, trajneri Ari Han i shprehu dje nga kompleksi “Skënder Halili”, ku kuqezinjtë po kryejnë përgatitjet anti-Suedi. “Jam i kënaqur nga këto tri ditë stërvitje, por kemi shumë punë për të bërë, pasi filozofia ime ndryshon me mënyrën se si ka luajtur futboll Shqipëria deri më tani. Kjo do të thotë që unë për momentin duhet të përshtatem, sepse natyrisht më mungon edhe koha për të vënë në “jetë” këtë filozofi,”- tha fillimisht trajneri kuqezi.

“Loja me Suedinë, pak ndryshime nga e kaluara”
Më pas, holandezi flet rreth përgatitjeve, kundërshtarit, si dhe për Shqipërinë që do të shihet të shtunën në “Qemal Stafa”.
“Ajo çfarë unë po përpiqem të bëj në këtë moment, është që çdo futbollist nga ana individuale duhet të përmirësojë pozicionin ku ai luan. Pa harruar që ndeshjen me Suedinë ne duhet ta fitojmë. Dua të theksoj se Shqipëria nuk do të luajë me Suedinë shumë ndryshe, nga çfarë ka luajtur në të kaluarën, sepse më mungon edhe koha. Natyrisht, Suedia nuk është kundërshtari i parë më i fortë, pasi në grupin tonë ka edhe të tjerë. Jemi të ndërgjegjshëm që kemi një grup shumë të vështirë, por do të bëjmë maksimumin që ndeshjen e parë ta përfundojmë në avantazhin tonë,”- u shpreh trajneri Han, i cili vlerëson angazhimin e lojtarëve dhe kushtet e stërvitjes.
“Lojtarët po stërviten ashtu si duhet dhe kanë një angazhim të madh. Ata po e përballojnë stërvitjen, por nga ana tjetër duhet të rriten më shumë. Tani kemi edhe dy ditë kohë për të rregulluar disa gjëra. Këtë herë duhet të theksojmë se kushtet e fushës janë të mira. Kemi pasur vështirësi në këtë aspekt, pasi, siç dihet, në prag të miqësores së fundit, zhvilluam vetëm një seancë.”

“Mbulimi i Ibrës? Nuk shënon vetëm ai”
Duke qenë se te kombëtarja e Suedisë në sulm luan një lojtar si Zlatan Ibrahimoviç, i gjithë opinioni është fokusuar tek ai. Megjithatë, për Hanin nuk duhet menduar se kush do ta mbajë shtatlartin e nordikëve, pasi nuk shënon vetëm ai. Holandezi thotë se “ylli” i Interit është një lojtar i eliminueshëm.
“Ne e dimë që Ibrahimoviçi është më i rrezikshmi, por nuk mund të them tani se kush do ta mbajë atë. Te Suedia nuk shënon gola vetëm Ibrahimoviçi, por edhe sulmuesi me eksperiencë Larson. Bindja ime është që këta dy lojtarë janë të eliminueshëm. Ajo që duhet ta mendojmë mirë është se Suedia në ndeshjet e fundit ka praktikuar një sistem të ri loje, me variantin 3 5 2. Eshtë kjo pika ku ne duhet të përshtatemi.” Edhe gjatë provave në stërvitje, Ari Han ka lënë të kuptojë se qendra e mbrojtjes kuqezi pritet të përbëhet nga lojtarë shtatlartë si Curri, Teli apo Beqiri, të cilët mund të mbulojnë sulmuesin e njohur të Suedisë.

“Nuk po shënojmë, kjo po më shqetëson”
Shënimi i golit është një problem tjetër për trajnerin kuqezi. Ai e ka vënë re këtë aspekt edhe gjatë stërvitjes së kuqezinjve. Këta të fundit tregohen të mefshtë para portës, duke humbur raste të pastra për shënim. I pyetur nga “Sporti shqiptar”, trajneri Han sqaroi: “Natyrisht që mungesa e golave më shqetëson. Janë disa gjëra, të cilat duhen llogaritur, sepse për të luajtur ashtu siç duam, me karakter sulmues, ne nuk arrijmë të shënojë dhe gola. Kjo do të thotë që duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sidomos kur kemi të drejtën e goditjeve të lira. Unë mendoj se nga këto të fundit mund të arrijmë të shënojmë. Duhen shfrytëzuar shumë edhe goditjet nga këndi. Megjithatë, së pari ne duhet të kemi një skuadër dhe pastaj të rregullojmë këto gjëra.”

“Loja e Berishës, jashtë filozofisë sime”
Duke folur për ata që do të jenë në fushë të shtunën, holandezi i kombëtares theksoi se loja e Besart Berishës nuk është në filozofinë e tij. Ndërsa lidhur me Erion Bogdanin, trajneri nuk pranoi të komentonte. “Eshtë pak herët të bëj një gjykim për Berishën. Kam zhvilluar një bisedë të gjatë me të. Personalisht më duhet edhe pak kohë për ta vlerësuar sa më mirë. Ia kam bërë të qartë se çfarë pres prej tij. Gjithsesi, mund të them që Berisha është diçka ndryshe nga çfarë luhet futbolli i sotëm. Ai luan në një mënyrë, që s’i përket filozofisë sime. Për këtë qëllim kam folur gjatë me të. Bogdani? Nuk dua të përgjigjem për lojtarë të veçantë, pasi duhet të presim pak.” Për sa i përket formacionit, njëshi i stolit shqiptar deklaroi se 90% të atyre që do të jenë nga minuta e parë e ka të qartë.

Nga Sporti Shqiptar

0 comments:

About This Blog

About This Blog

  © Blogger template Digi-digi by Ourblogtemplates.com 2008

Back to TOP