Një intervistë që kërkon vëmendje e qëndrim politik

>> Friday, September 5, 2008

Autor : Rexhep Meidani

Në një intervistë të Presidentit rus Dimitri Medvedev dhënë kanalit televiziv CNN, më 26 gusht 2008, gjatë shpalosjes arrogante të pozicionimit rus (në lidhje me Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë) përkundrejt kërkesave të drejta të bashkësisë ndërkombëtare demokratike, përmendet disa herë Kosova. Për ta “ndjerë” më mirë erën anakronike të kësaj politike demagogjike të “ushtrimit të forcës me përzgjedhje”, po citojmë më poshtë vetëm disa fragmente të mjaftueshme të kësaj interviste, që lidhen drejtpërsëdrejti me popullin shqiptar dhe Kosovën...

Pyetje: Aktualisht, udhëheqësit e Evropës dhe SHBA-së, përfshirë dhe presidentin Bush, kanë lëshuar deklarata të forta për t’ju shtyrë ju që të mos e njihni shkëputjen e territoreve të Abkhazisë dhe të Osetisë Jugore nga Gjeorgjia. Ndërkohë, ju nuk ja vutë veshin atyre dhe vendosët t’i njihnin ato. A mund të interpretohet kjo si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Perëndimit?

Dimitri Medvedev: Jo, kjo nuk është një sfidë, por një vendimmarrje e menduar mirë. Një numër i konsiderueshëm rrethanash na e bënë të domosdoshme hedhjen e këtij hapi.

Por cilat janë këto rrethana?

Për më shumë se 17 vjet Rusia ka bërë maksimumin për të parandaluar këtë zhvillim duke tentuar ruajtjen e integritetit territorial të Gjeorgjisë. Ne e kemi bërë një gjë të tillë në të gjitha nivelet, përfshirë dhe të gjitha forumet ndërkombëtare. Bile, edhe kur Kosova u proklamua si një subjekt i ligjit ndërkombëtar, ne nuk e bëmë një pohim të ngjashëm në lidhje me këto dy republika. 

Ndërsa, ne u detyruam të njihnim pavarësinë e tyre pasi u vranë mjaft njerëz. Ju e dini, për të parën herë gjakderdhja ka ndodhur gjatë presidencës së Gamsakhurdisë, në fillim të viteve ‘90-të, Dhe, për fat të keq, ajo u përsërit në vitin 2008, nën presidencën Shakashvili. Dhe me këtë veprim ai fshiu të gjitha shpresat që këto tre popullsi: gjeorgjianët, osetët dhe abkhazët, të mund të jetonin së bashku në një shtet të vetëm. Prandaj, kryerja e këtij hapi ishte rruga e vetme për të parandaluar një gjakderdhje të mëtejshme, për të shmangur një përhapje të mëtejshme të konfliktit dhe evituar vdekjen e mijëra civilëve të pafajshëm.

Kjo është dhe arsyeja e parë që ne vepruam në këtë mënyrë. Arsyeja e dytë, është që çdo popull ka të drejtën e vetëvendosjes. Kjo është parashikuar në tekstin e Kartës së OKB-së, në konventa të rëndësishme ndërkombëtare apo Aktin Final të Helsinkit. Dhe nëse një vend beson se populli aty e ka shprehur vullnetin e tij për të pasur një ekzistencë të pavarur dhe zhvillon referendumin, siç është rasti me të dy këto republika, atëherë çdo vend ka të drejtë ta njohë këtë pavarësi, pavarësisht nëse vende të tjera e pëlqejnë atë apo jo. Kolegët tanë në shumë raste kanë pohuar se Kosova ishte një “casus sui generis”, një rast i veçantë. Por, në këtë rast, dhe ne mund të themi se Osetia e Jugut dhe Abkhazia janë po ashtu një rast “sui generis”.

Në rrethana të tilla ne vendosëm të njohim pavarësinë e tyre.

Pyetje: Le të kthehemi tek çështja e Kosovës. Ju keni kundërshtuar njohjen e pavarësinë e Kosovës sepse, sipas jush, kjo dhunonte ligjin ndërkombëtar. Sipas kësaj, dhe njohja e juaj e pavarësisë së Abkhazisë dhe Osetisë Jugore i dhunon të njëjtat ligje. A nuk është ky një standard i dyfishtë?

Dimitri Medvedev: Jo, ne nuk mendojmë që këtu kemi një standard të dyfishtë. Dëshiroj edhe njëherë të tërheqë vëmendjen e tuaj në faktin që çdo shtet mund të vendosë vetë nëse ai parapëlqen ta njohë njëfarë popullsie si subjekt të ligjit ndërkombëtar apo jo. Në opinionin tonë, situata që u krijua në Kosovë nuk e meritonte këtë vendimmarrje dhe Kosova, në këtë kuptim, nuk i plotësonte kërkesat për t’u njohur si subjekt i ligjit ndërkombëtar. Megjithatë, më duhet të pranojë se jo të gjitha shtetet ranë dakord me ne dhe një numër shtetesh të tjera njohën pavarësinë e Kosovës. 

Por, në gjykimin tonë, për këtë rast të veçantë, situata është përkeqësuar prej 17 vjetësh, gjatë të cilëve ka ndodhur një pastrim etnik dhe janë shfaqur raste gjenocidi, si në fillim të viteve 90-të, ashtu dhe tani. Prandaj dhe situata në këtë rast të veçantë është krejt e ndryshme. Dhe për këtë ne besojmë që, sipas Kartës së OKB-së, Deklaratës së vitit 1970 dhe Aktit të Helsinkit të 1975, ne kemi të bazën ligjore për të njohur pavarësinë e këtyre dy republikave.

Dhe kaq mjafton për të kuptuar njëanshmërinë dhe inkonsekuencën e thellë të politikës ruse që, nga njëra anë, pretendon se u shkelën normat ndërkombëtare në procesin e pavarësimit të Kosovës dhe të njohjes së saj nga shtetet më të fuqishme demokratike, si SHBA dhe shumica e vendeve të BE-së dhe, nga ana tjetër, bën një njohje të sforcuar thjesht për interesat e veta politike-ekonomike të dy rajoneve me popullsi, që së bashku nuk kalojnë 270.000 banorë. 

Po ashtu, aty harrohet fakti se procesi i pavarësimit të Kosovës ishte mjaft i gjatë, dhe për më tepër nën mbikëqyrjen, administrimin dhe negocimin ndërkombëtar. Pavarësisht, që shpejt u kuptua se negocimi do të mbetej vetëm një proces formal! Ai nuk mund të ishte i suksesshëm në kuadrin e një radikalizmi politik në Beograd, dhe për më tepër të inkurajimit e mbështetjes së verbër të Moskës ndaj këtij radikalizmi refraktar! Deri duke përdorur të drejtën e vetos në Këshillin e sigurimit.

Por kur dëgjon apo lexon këtë intervistë ka diçka tjetër, shumë më thelbësore, që jo vetëm të trishton, por dhe të ngjallë një revoltë të brendshme, bile jo thjesht në planin politik, por dhe atë intelektual. Si ka mundësi të vazhdohet me këtë mbyllje sysh apo si ka mundësi të kalohet me një harresë të tmerrshme politike gjenocidi serb e pastrimi etnik ndaj shqiptarëve?! Bile, shumë herë gjatë një shekulli kolonizimi! Aq më keq, a mund të të zhduken nga kujtesa lajmet e dhimbshme të vitit 1999, që tundën ekranet dhe opinionin publik të mbarë botës, me pamje makabër për vrasje e varre kolektive, apo dhunimet e grave dhe vajzave, djegiet e shtëpive, shkatërrimet e pronës, dhe mbi të gjitha shpërngulja me forcë e mbi një milioni shqiptarësh nga vatrat e tyre, kriza më e madhe humanitare e pas luftës mu në zemër të Europës!...

Dhe ndërkohë luhet pa “dridhje qerpiku” me karta të kundërta për Osetinë e Jugut që vlerësohet me një popullsi të përzierë me jo më shumë se 70.000 banorë apo Abkhazinë ku popullsia nuk kalon 200.000 banorë! Kurse politika e Tiranës thjesht kënaqet me disa deklarata, shumë shpesh evazive, gjoja globale e diplomatikisht të kujdesshme, pse jo as dhe dinjitoze. Bile, më shumë sa për të kaluar radhën. Aq sa, në krahasim me të, edhe pse me plot “halle”, qëndrimet e Shkupit, shumë më të prera dhe të qarta në pozicionet e veta, të shkaktojnë deri diku “zili”!...

0 comments:

About This Blog

About This Blog

  © Blogger template Digi-digi by Ourblogtemplates.com 2008

Back to TOP