Xhufi: Pse duhen hapur shkolla shqipe në Greqi
>> Friday, September 5, 2008
Historiani: Berisha, i turpëruar para emigrantëve
Diplomati dhe historiani Pëllumb Xhufi deklaron se Kryeministri Berisha duhet të ndihet i turpëruar përballë emigrantëve tanë. Në një intervistë për "Shqip", ai i mëshon fort idesë së hapjes së shkollave dhe instituteve të kulturës shqipe në shtetin grek. Xhufi kujton marrëveshjet, të cilat janë nënshkruar mes dy palëve, por kanë funksionuar vetëm për interesat e hapjes së shkollave greke në Shqipëri. Greqia, sqaron ai, e ka për detyrim të krijojë kushtet për të mundësuar mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e qytetarëve shqiptarë. Në vlerësimin e Xhufit, qeveria Berisha nuk ka bërë asgjë në drejtim të shkollimit të fëmijëve të emigrantëve. Teksa nuk heziton t‘i sugjerojë kreut të qeverisë që të paktën 100 milionë dollarë nga 1 miliard që deklaroi si rritje në buxhet, ta përdorë për hapjen e shkollave shqipe në Greqi, Itali apo gjetkë.
Zoti Xhufi, si e konsideroni kërkesën për hapjen e shkollave dhe kurseve të gjuhës shqipe në Greqi?
Ka një shqetësim në fakt, të qytetarëve shqiptarë që punojnë jashtë vendit, jo vetëm në Greqi, por edhe në Itali dhe vende të tjera. Ata kërkojnë që fëmijët e tyre të kenë të drejtën e shkollimit në gjuhën shqipe për të ruajtur gjuhën e për të mbajtur lidhje kulturore e shpirtërore me vendin e tyre. Tani shqetësimi ka qenë edhe i qeverive të mëparshme, konkretisht i qeverisjes socialiste në vitin 1998. Është këmbëngulur që në marrëveshjen për arsimin dhe kulturën me Greqinë të futej një nen i posaçëm, pikërisht për të krijuar mundësitë e mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Greqi. Për fat të keq nuk është bërë asgjë nga ajo kohë për ta realizuar diçka të tillë. Me shtetin grek ka një marrëdhënie krejt asimetrike për sa u përket të drejtave dhe detyrimeve. Dua të kujtoj se në Shqipëri janë hapur shkolla greke, përveç atyre shtetërore në zonën e minoritetit, por edhe private . Në një kohë që edhe Greqia, si çdo vend tjetër i Bashkimit Evropian, e ka për detyrë të krijojë kushtet për të mundësuar mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e qytetarëve shqiptarë. Por këtu jemi për të gjykuar mbi përgjegjësitë tona dhe mendoj se qeveria "Berisha" s‘ka bërë asgjë për diçka të tillë, ndërsa mburret se po i fryn financat nga viti në vit, megjithëse ka premtuar se të realizojë hapjen e shkollave të gjuhës shqipe jashtë vendit tonë, nuk ka bërë asgjë. Unë do të sugjeroja që nga buxheti i vitit 2009, nga ajo shtesa prej 1 miliardë dollarësh që zoti Berisha deklaroi, sikur të paktën 100 milionë dollarë të dedikoheshin për arsimin dhe kulturën shqiptare jashtë, do mund jo vetëm të mundësonte angazhimin e mësuesve të gjuhës shqipe që janë me shumicë në Greqi, Itali e gjetkë, por do bënte edhe pajisjen me infrastrukturën e nevojshme. Madje, do mund të realizonte edhe një angazhim të kahershëm të qeverisë shqiptare për hapjen e instituteve të kulturës shqipe në qendrat kryesore ku ka koncentrim të shqiptarëve, si p.sh. në Athinë apo në Romë. Dua të kujtoj gjithashtu se në këtë aspekt ne jemi aq deficitarë, u detyrohemi aq shumë qytetarëve tanë, saqë çdo qeveritar e çdo kryeministër i radhës duhet të turpërohej sa herë që u drejtohet emigrantëve. Sepse realisht nuk është bërë asgjë, nuk janë realizuar as të paktën ato gjëra që janë fiksuar në marrëveshjet dypalëshe. Thashë, mësimi i gjuhës shqipe me shtetin grek është parashikuar në marrëveshjet e kulturës dhe arsimit me këtë vend. Sikurse parashikohej edhe hapja e katedrave të gjuhës shqipe, të paktën në Selanik e Athinë, ashtu si reciprokisht në Tiranë dhe Gjirokastër, është parashikuar hapja e katedrave të gjuhës greke. Kjo e fundit është realizuar, por ajo e para, me sa di unë, akoma nuk është realizuar. Këtu Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ashtu sikurse qeveria nën drejtimin e Kryeministrit, kanë përgjegjësinë e tyre.
Si shpjegohet zoti Xhufi, që organizata të tilla si "Omonia" kërkojnë deri vendosjen e greqishtes si gjuhë të dytë zyrtare në vendin tonë dhe në Greqi s‘ka as shkolla shqipe. Mos vallë pala shqiptare negocion në pozita inferioriteti?
Janë pozita inferioriteti që secili i ka me vetveten. Kryeministri Berisha edhe në raportet me "Omonian" që ju përmendni, me kryetarin e saj, zotin Bollano, është i dyshimtë. Shumëkush që do përpiqet të gjejë rrënjët e kësaj "miqësie", që zoti Berisha e shprehu edhe para disa ditësh, janë vërtet të dyshimta dhe nuk besoj se janë lidhje e miqësi për punë të mira. Janë për punë të këqija, siç kanë dalë në shtyp edhe çështjet që kanë të bëjnë me ndarjen e pronave, apo abuzimin me trojet në zonën bregdetare. Ndaj, ne kemi asistuar në këto vite të qeverisë "Berisha" në dorëheqje si të thuash, nga të drejtat e patjetërsueshme që ka qeveria dhe qytetarët shqiptarë jo vetëm në raport me grekët. Ashtu sikurse kemi pasur lëshime të paprincipta, që u janë bërë kërkesave qoftë edhe nga qarqe jo zyrtare greke, apo edhe provokime më pas që kanë kaluar në heshtje prej qeverisë, e cila nuk ka reaguar. Këto gjëra janë natyrisht shqetësuese, kanë të bëjnë jo vetëm thjesht me dinjitetin e shtetit shqiptar, por edhe me një deformim të marrëdhënieve dypalëshe që duhet ndërtuar mbi bazën e reciprocitetit.
Si mund të ndikojë opozita në Parlament për të forcuar këtë debat?
Ky shqetësim dua të them është përcjellë në Parlament, konkretisht edhe nga grupi ynë parlamentar. Kemi ngritur zërin për disa prej këtyre aspekteve që përmenda, edhe sa u takon shkollave dhe kurseve në gjuhën shqipe, apo lëshimeve, tolerimit dhe shkeljes së Kushtetutës nga individë të veçantë. Bëhet fjalë si brenda Shqipërisë, apo në rastin më të shumtë, përfaqësues të qarqeve jozyrtare, por edhe ndonjë përfaqësuesi zyrtare greke në vizitat e kalkuluara e të herëpashershme në Shqipëri. Çështjen për të cilën ju më pyetët për mësimin e gjuhës shqipe në vendet ku ka përqendrim të madh të qytetarëve shqiptarë, ne si grup parlamentar do ta ngremë në seancë Kuvendi sapo të fillojë sesioni i ri kuvendor.
Nga Gazeta Shqip
0 comments:
Post a Comment