Selmani me pesë deputetë e dy ministra?
>> Friday, September 5, 2008
Autor: Bekim Buçi
Së paku pesë deputetë do të numërojë partia në themelim e Imer Selmanit, njoftojnë burime të afërta me nënkryetarin e deritanishëm të PDSH-së. Të njëjtat burime, të cilat insistojnë të mbeten anonime, thonë se partia e re do te jetë edhe pjesë e koalicionit qeveritar, ku do të ketë dy resorë ministrash. Ata thonë se Selmani veçmë është marrë vesh me Gruevskin për tu bërë pjesë e koalicionit qeveritar. Ata shtojnë se njëri post ministror partisë së Selmanit do t’i jepet nga resorët të cilat i mbajnë kuadrot e VMRO-DPMNE-së, kurse njëri nga resorët që aktualisht i mbajnë kuadrot e BDI-së. Në kohën kur u formua koalicioni qeverisës VMRO-DPMNE-PDSH në vitin 2006, Selmani si zëvendës kryeministër për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Gruevskit. mirëpo ai shpejt u ndërrua nga ky post me Imer Aliun. Në BDI kanë hedhur poshtë informacionet për mundësinë e kyçjes së partisë së Imer Selmanit në Qeveri, kurse në VMRO-DPMNE nuk kanë komentuar ato. Nëse tregohen të sakta informacionet se partisë së Selmanit do ti bashkëngjiten edhe deputetë të BDI-së, atëherë partia e Selmanit do të mundet ta tejkalojë PDSH-në, si forcë e dytë politike në taborin shqiptar.
Vetë Selmani të enjten, në paraqitjen e parë zyrtare në opinion, pas paraqitjes së informacioneve se do të formojë parti tëre politike, në intervistë për televizionin “Alsat-M” konfirmoi se partia e tij do të numërojë së paku pesë deputetë. “Besoj se do të jemi shumë afër ose veç jemi më edhe në formimin e grupit parlamentar (për çka nevojiten pesë deputetë)”, tha Imer Selmani
Selmani megjithatë nuk i bëri të ditur emrat e deputetëve që do t’i bashkëngjiten këtij subjekti të ri politik.
“Zyrtarisht më shkrim zotëri Thaçi do ta marrë të enjten dorëheqjen time. Unë publikisht e njoftoj opinionin se nga të gjitha pozicionet që kam si nënkryetar partie, anëtar i Kuvendit Qendror, anëtar i Kryesisë Qendrore, jap dorëheqje për arsye se nuk korrespondon më veprimi i ri i imi politik me partinë në të cilën kam qenë anëtar dhe kam vepruar në 12 vitet e fundit”, ka deklaruar Selmani.
Sipas tij, kulminacioni i krejt situatës erdhi muajve të fundit dhe veçanërisht përfundimi i procesit zgjedhor dhe forma se si u menaxhuan zgjedhjet parlamentare të këtij viti.
Ai thotë se oferta e PDSH-së kohëve të fundit nuk ka qenë pozitive për qytetarët shqiptar. Sipas tij, kacafytjet e njëpasnjëshme me faktorët tjerë shqiptarë, izolimi ndërkombëtar, mënyra e menaxhimit ose bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Kosovën krijuan një masë shumë kritike.
PDSH: Selmani po bën gabim të madh
Nënkryetari i PDSH-së, Besim Dogani, duke dhënë qëndrimin partiak lidhur me paralajmërimet se nënkryetari i deritanishëm Imer Selmani do ta braktisë partinë dhe do të formojë parti të re, theksoi se një hap i tillë është gabim i madh. “Kjo në shoqëritë demokratike dhe në demokraci është një gjë e lejuar, një gjë tejet legale. Ne nuk e kontestojmë zotëri Imer Selmanin që të mendojë më ndryshe dhe të veprojë ndryshe, por, megjithatë, mendojmë se në këtë moment një hap i tillë është gabim i madh”, tha Dogani. Ai nuk pret se një hap i tillë i Selmanit do të sjellë deri te ndarja e grupit të deputetëve të PDSH-së.
Nga Lajm (Maqedoni)
0 comments:
Post a Comment